Presidentja e vendit, sot pas homazheve të bëra në 27-vjetorin e rënies së heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxhaka, folur për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë. E para e shtetit tha se nëse partitë politike kanë dakordim për t’i mbajtur zgjedhjet më herët, janë disa opsione për zgjedhjet e jashtëzakonshme, e të cilat i lejon Kushtetuta e vendit, shkruan Reporteri.net.
Presidentja Osmani tha se një opsion është shpërbërja e Kuvendit më herë, gjë për të cilën theksoi se duhen 2/3 e votave, derisa shtoi se rrjedhimisht duhet dakorduar ndërmjet shumicës dërmuese të partive politike për një datë të mëhershme.
“Ju e dini që zgjedhjet sipas afateve të rregullta duhet të mbahen në fillim të vitit 2025. Në qoftë se partitë politike kanë dakordim për t’i mbajtur ato më herët, janë disa opsione të cilat i lejon Kushtetuta e Kosovës. Një prej tyre është që Kuvendi të shpërndahet më herët, por për një gjë të tillë duhen 2/3 e votave, rrjedhimisht duhet një lloj pajtimi ose dakordimi ndërmjet shumicës dërmuese të partive politike që janë në Kuvendin e Kosovës për një datë të mëhershme”, ka thënë ajo.
E para e vendit tha se nëse ky pajtim arrihet, atëherë shpërndahet Kuvendi, dhe ajo mund të shpall datën e re të zgjedhjeve brenda 30-45 ditëve.
Ajo tha se nuk ndërhyn në procese të tilla, por nëse ka kërkesë nga partitë politike, theksoi se patjetër se e bën një gjë të tillë.
“Në qoftë se arrijnë këtë dakordim, atëherë në momentin që ata dakordohen dhe e shpërndajnë Kuvendin, si presidente, unë e shpalli datën e re të zgjedhjeve brenda 30 – 45 ditëve. Tani nuk ndërhyj në proceset e tilla. Megjithatë, në qoftë se ka kërkesa nga partitë politike, dhe këtu po flas edhe nga mazhoranca, edhe nga opozita që t’i mbledhi të gjithë në mënyrë që të diskutohet një datë më e re, natyrisht që këtë e bëj, mirëpo nuk është asnjëherë punë e presidentes që të imponoj datë më të hershme sesa ajo që është e paraparë me Kushtetutë në proceset e rregullta”, ka thënë presidentja Osmani.