Zgjedhjet në SHBA: Kë dëshiron Rusia në Shtëpinë e Bardhë?

Analistët rusë sfidojnë perceptimin perëndimor se Moska dëshiron një fitore të Trumpit, duke thënë se politika e SHBA-së do të mbetet “jomiqësore” kundrejt Rusisë pavarësisht se kush qëndron në Shtëpinë e Bardhë

Rusia është ndër vendet ku rezultati i zgjedhjeve presidenciale në SHBA gjithnjë ka rëndësi të madhe dhe gara aktuale që zhvillohet mes Donald Trump dhe Kamala Harris nuk është përjashtim.

Nëse merret parasysh narrativa perëndimore, atëherë gjithçka që Moska do të bënte tani është të shpresojë për një fitore të Trumpit dhe një fund të administratës demokrate që drejton Washingtonin nga viti 2020.

Analistët rusë e sfidojnë këtë pikëpamje duke u shprehur se ajo është larg realitetit dhe duke theksuar se zyrtarët në Moskë besojnë se qëndrimi “jomiqësor” i administratës amerikane ndaj Rusisë nuk ka gjasa të ndryshojë, pavarësisht se kush qëndron në Shtëpinë e Bardhë.

Zyrtarisht, Moska ka ruajtur distancën e saj, duke refuzuar të mbështesë hapur ndonjërin nga kandidatët, një vendim që analistët thonë se mund të jetë i rrënjosur në pasojat e zgjedhjeve të vitit 2016 në SHBA, kur Rusia u akuzua për ndërhyrje në favor të Trumpit.

Në atë kohë, kishte shumë pretendime se Trump kishte bashkëpunuar me zyrtarët rusë, por hetimi që pasoi nga këshilltari special Robert Mueller nuk gjeti prova të ndonjë koordinimi të drejtpërdrejtë midis fushatës së Trumpit dhe Moskës.

Në shtator të këtij viti, presidenti rus Vladimir Putin bëri një koment ngacmues duke u shprehur se Rusia dëshironte që Harris të fitonte, duke përmendur të qeshurën “infektive” të kandidates demokrate si arsye.

Kjo tërhoqi një deklaratë nga Washingtoni zyrtar, i cili i kërkoi Putinit të ndalonte me komentet mbi garën, ndërsa Kremlini dhe zyrtarët e lartë rusë sqaruan se kjo ishte vetëm një shaka.

– Këndvështrimi i Moskës

Kolumnisti rus Andrey Sitov vë në dukje se demokratët dhe republikanët kanë një divergjencë të qartë në disa fusha vendimtare.

Ai vlerëson se pozicioni i elitës politike amerikane është se ata janë të gatshëm të mbjellin çdo lloj kaosi në botë, vetëm që kjo të mos jetë teksa kandidati i tyre është në detyrë.

“Kjo është mendësia. Ndërkohë, Trump, përkundër paparashikueshmërisë së tij, nuk filloi luftëra të reja dhe avokoi për sigurinë bërthamore. Është impulsiviteti i Harrisit që shqetëson disa”, tha Sitov për Anadolu.

Ai shprehet se është personalisht kurioz për të parë nëse Trump mund të zbatojë premtimin e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, diçka që republikani pretendon se mund ta bëjë përpara inaugurimit të tij.

Analisti politik Konstantin Kalachev shpjegon se Trump nuk i përmbushi plotësisht pritjet ruse në mandatin e tij të parë nga viti 2016 deri në 2020, por, sipas tij, kësaj radhe Moska zyrtare mbetet me shpresë për një mirëkuptim më domethënës të mundshëm.

Kalachev thotë se Trump e konsideron Kinën, jo Rusinë, si konkurrentin kryesor gjeopolitik të SHBA-së dhe mund të përpiqet ta largojë Moskën nga ndikimi i Pekinit duke ofruar disa lëshime.

Një faktor tjetër, sipas tij, do të ishte skandali për marrëdhëniet e Hunter Bidenit, djalit të presidentit Biden, me Ukrainën.

Hunter shërbeu në bordin e “Burisma”, një kompani ukrainase e gazit natyror, teksa Biden ishte nënpresident në mandatin e Barack Obamas dhe ishte i përfshirë në politikëbërjen e SHBA-së për Ukrainën.

Kjo shkaktoi shqetësime për një konflikt interesi, teksa kritikët thanë se Biden përdori ndikimin e tij për të mbrojtur djalin dhe kompaninë Burisma.

Një ngjarje kyç ishte presioni i Bidenit për largimin e prokurorit ukrainas Viktor Shokin, i cili po hetonte pretendimet për korrupsion, përfshirë në kompaninë Burisma.

Mbështetësit e Bidenit argumentojnë se veprimet e tij ishin pjesë e politikës më të gjerë të SHBA-së dhe të mbështetura nga entitete ndërkombëtare si BE-ja, të cilët e kishin kritika për punën joefektive të prokurorit Shokin në luftën kundër korrupsionit.

Trump, sipas Kalachevit, “nuk e ka harruar rolin e Ukrainës e cila nuk ekspozoi Bidenin gjatë zgjedhjeve të fundit”.

– Trump nënkupton përshkallëzim?

Kalachev beson gjithashtu se qëndrimi i Trumpit për Evropën përputhet me interesat ruse, ndërsa kritikat e tij të kaluara ndaj NATO-s dhe preferencat për marrëveshjet dypalëshe mbi bashkëpunimin shumëpalësh përshtaten gjithashtu me pikëpamjen e Moskës.

Pozicioni i Trumpit për bashkëpunimin me Evropën është karakterizuar nga skepticizmi ndaj institucioneve si NATO dhe BE. Gjatë presidencës së tij, Trump kritikoi vendet evropiane, veçanërisht Gjermaninë, për moskontributin e mjaftueshëm në shpenzimet e mbrojtjes, madje duke shkuar deri aty sa ndonjëherë e quante NATO-n “të vjetruar”.

“Por nga ana tjetër, Trump është emocional, impulsiv dhe i paparashikueshëm. Harris është shumë më e parashikueshme, dhe kjo është një plus”, tha ai.

Analisti politik Viktor Kozyrev nuk pajtohet me vlerësimin se Trump do të ishte zgjidhja më e mirë për Moskën, duke paralajmëruar se një fitore e republikanëve “mund të përshkallëzojë konfliktin me Rusinë”.

Për sa i përket linjës zyrtare ruse, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov i ka kërkuar vazhdimisht SHBA-së të ndalojë përdorimin e Rusisë në politikën e saj të brendshme, duke shtuar se të dyja palët në politikën amerikane konkurrojnë për t’u dukur më të ashpra ndaj Moskës.

Ministri i Jashtëm Sergej Lavrov gjithashtu ka minimizuar rëndësinë e zgjedhjeve të 5 nëntorit, duke theksuar se politika e SHBA-së ndaj Rusisë do të mbetet e pandryshuar pavarësisht asaj se kush do të fitojë, sepse, sipas tij, kjo përcaktohet nga forcat e thella në establishmentin amerikan.

Kategoritë
BotaLajme