Zgjedhjet në Shqipëri, fushata e dominuar nga gjuha e ashpër e udhëheqësve partiakë

Në Shqipëri fushata për zgjedhjet vendore e cila mbyllet ditën e nesërme, u dominua nga shkëmbimet e sulmeve dhe akuzave politike, ku nuk munguan tonet fyese e denigruese ndaj kundërshtarit.

Ndërsa kandidatët në garën për 61 bashkitë e vendit zhvilluan takime të shpeshta me qytetarët, duke u ndalur kryesisht në problemet lokale, ligjërimi i drejtuesve politikë, i ngjau më së shumti, një beteje për frenat e qeverisjes qendrore, se sa të qyteteve e fshatrave të vendit.

Në hapje të fushatës, kryeministri Rama deklaroi se partia e tij dhe kandidatët për bashkitë dhe këshillat bashkiakë, do të duhet të merreshin sa më pak me kundërshtarët politikë e të shmangnin, siç u shpreh, “ndotjen gjuhësore dhe atë vizuale”, me një prani të reduktuar të posterave dhe sloganeve nëpër rrugët e qyteteve.

Në fakt, posterat e parë që u shfaqën menjëherë më pas, ishin ato të kryeministrit, shoqëruar me foto bardhë e zi të kundërshtarëve të tij, Berisha e Meta, me mbishkrimin “Kurrë më mbrapa”. Epitetet denigruese ndaj të dyve zunë një vend kryesor në fjalimet e zoti Rama gjatë fushatës. “A e kuptojnë këta të djathtë që ky njeri, bashkë me floririn se këta janë një, Salike floriri i them unë? A e kuptojnë këta që Salikja është një turp?”, u shpreh zoti Rama gjatë një mitingu në Sarandë pak ditë më parë.

Kategoritë
LajmeRajoni