Zgjedhjet në veri, s’përjashtohen tensionet e reja

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore të vendit mund të sjellin edhe tensione të reja për shkak të mospjesëmarrjes së Listës Serbe. Por, nga Vetëvendosje kanë thënë se pavarësisht kësaj institucionet kanë bërë të gjitha përgatitjet për procesin zgjedhor. E nga shoqëria civile shprehen se mospjesëmarrja e Listës Serbe mund të dëmtojë këtë proces.

Krijimi i tensioneve të reja nuk është përjashtuar pak javë para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat e veriut të vendit.

Krejt kjo për shkak të mospjesëmarrjes së Listës Serbe në këto zgjedhje, duke ngjallur dyshime që strukturat paralele serbe të pengojnë procesin zgjedhor dhe rrezikut të trysnisë ndaj qytetarëve për të mos votuar.

Megjithatë, nga partia në pushtet, Vetëvendosje kanë thënë se të gjitha institucionet e vendit kanë bërë përgatitjet e duhura për organizimin e zgjedhjeve.

Deputetja Arbreshë Kryeziu-Hyseni, e ka cilësuar si shumë të rëndësishme edhe mbështetjen e vendeve të QUINT-it në këtë proces, raporton kanal10.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti ka thënë se këto zgjedhje duhet të mbahen edhe pse sipas tij, mund të krijojnë tensione.

Rrezik për dëmtim të procesit zgjedhor nga mospjesëmarrja e Listës Serbe sheh Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Lista Serbe kishte deklaruar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje deri në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit për kryetarë të katër komunave veriore do të garojnë 11 kandidatë, ku vetëm dy prej tyre janë nga komuniteti serb.

Këto zgjedhje do të mbahen pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, pas pakënaqësive ndaj vendimit qeveritar për targat ilegale serbe.

Të njëjtat ishin caktuar të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit të kaluar, por që ishin shtyrë pas incidenteve të krijuara dhe kërkesës nga bashkësia ndërkombëtare.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi