Zgjedhjet presidenciale në Turqi, mbi 1.89 milionë shtetas turq jashtë vendit votuan në raundin e dytë

Votimi në përfaqësitë diplomatike turke përfundoi dje, ndërsa votimi në portat doganore do të vazhdojë deri të dielën, 28 maj, në ora 17:00 sipas kohës lokale

Mbi 1.89 milionë shtetas turq jashtë vendit kanë votuar deri më tani në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Türkiye që do të mbahen më 28 maj, raporton Anadolu.

Votimi në përfaqësitë diplomatike turke përfundoi dje, ndërsa votimi në portat doganore do të vazhdojë deri të dielën, 28 maj, në ora 17:00 sipas kohës lokale.

Sipas Këshillit të Lartë Zgjedhor të Türkiye-s, gjithsej 1.895.430 shtetas turq votuan në misionet e huaja dhe portat doganore të Türkiye-s deri në mëngjesin e sotëm në orën 10:00 sipas kohës lokale.

Në zgjedhjet e 14 majit, gjithsej 1.839.470 shtetas turq jashtë vendit dolën në votime për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vendit. Numri i votuesve në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale deri më tani është rritur me 55.960 votues.

Ata që nuk janë në gjendje të votojnë brenda një kohe të caktuar në vendin e tyre të banimit, do të kenë mundësi të votojnë në portat doganore deri në orën 17:00 të dielën.

Në raundin e parë të zgjedhjeve, shtetasit turq jashtë vendit votuan në përfaqësitë e huaja të vendit nga 27 prilli deri më 9 maj, ndërsa në portat doganore deri më 14 maj.

Aleanca e Popullit e presidentit Recep Tayyip Erdoğan fitoi shumicën në Parlament, ndërsa gara presidenciale kaloi në raundin e dytë pasi asnjë kandidat nuk siguroi më shumë se 50 për qind të votave. Megjithatë, Erdoğan kryesoi me 49,52 për qind të votave.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, Erdoğan do të përballet me kreun e opozitës më të madhe, Partisë Republikane Popullore (CHP), Kemal Kılıçdaroğlu, i cili është kandidat i përbashkët i Aleancës Kombëtare së përbërë nga gjashtë parti opozitare.

Kategoritë
BotaLajme