Zhvillimi i Shkupit pas tërmetit të 63-tës

Si sot 59 vite më parë qyteti i Shkupit u zgjua nën ethet e dridhjeve të forta të tërmetit, me ç‘rast humbën jetën 1070 persona, ndërsa rreth 4 mijë të tjerë ngelën të lënduar.
Tërmeti katastrofal në Shkup ndodhi më 26 korrik të vitit 1963 në ora 5 e 17 minuta, edhe atë me fuqi prej 6 ballë sipas shkallës së Rihterit, ndërsa dridhje më të vogla kishte në vazhdimësi deri në ora 5 e 43 minuta.

Nga tërmeti u shkatërruan 15.800 ndërtesa dhe u dëmtuan 28.000 të tjera.
Poashtu mbi 200.000 persona ngelën pa kulm mbi kokë.
Me këtë tragjedi historike që i ndodhi Shkupit në shenjë solidarizimi u ngrit në këmbë e tërë bota, ndërsa të parët u vënë në ndihmë ushtria e shtetit.
Mobilizimi për ta ndihmuar Shkupin filloi me apel të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar deri te të gjitha organizatat për sigurimin e ushqimit për fëmijë. Më tej Unioni implementar dërgoi rekomandim deri te të gjitha parlamentet dhe qeveritë që të ndihmojnë në rindërtimin e qytetit.
Në kohën kur ekipe profesioniste nga KB-ja filluan të vijnë në Shkup, në selinë e Organizatës ndërkombëtare është thënë se Shkupi do të jetë përmendore e solidaritetit njerëzor.

Rindërtimi i Shkupit
Më 23 shtator 1963, diku 35 shtete kërkuan nga Asambleja e Përgjithshme të vendos në rend dite të seancës së saj pikë për ndërmarjen e masave me rastin e tërmetit në Shkup.
Më 27 shtator, Asambleja e Përgjithshme i dha prioritet aksionit ndërkombëtar për t’i dhënë ndihmë Shkupit. Më 14 tetor, Kuvendi i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara njëzëri miratoi rezolutën për t’i dhënë ndihmë qeverisë së atëhershme jugosllave gjatë rikonstruktimit të Shkupit.
Rindërtimi dhe zhvillimi i qytetit të Shkupit, pas 26 korrikut të vitit 1963, kryesisht është përqëndruar në anën e djathtë të lumit Vardar dhe lagjet periferike të saj. Nga ajo që mund të shihet sot e asaj dite shumë shtëpi dhe objekte pas tërmetit nuk u rindërtuan. Si pasojë e dëmeve që i shkaktoi tërmeti, autoritet e shtetërore të asaj kohe kishin vendosur rrënimin dhe jo revitalizimin e shumë objekteve kulturore.

Funksionimi i Postës
Ajo që krijon përshtypje gjatë periudhës së tërmetit në vitin 1963 është funksionimi i postës shtetërore. Ndonëse e rrënuar tërësisht, ajo asnjëherë nuk ndaloi me punën e saj, kështu duke qenë qendra kryesore e trafikut postar në Republikën e atëhershme Socialiste të Maqedonisë.
Jeta pas tërmetit në Shkup është zhvilluar kryesisht nëpër tenda të lagjeve ku dhe posta u përshtat shpejt me situatën duke hapur pikat e veta në vendbanimet e tendeve.
Në kuadër të kësaj dite, çdo vit më 26 korrik autoritetet shtetërore e kujtojnë këtë datë me ceremoni të ndryshme.

Kategoritë
LajmeRajoni