Ylli më i madh i futbollit maroken, Hakim Ziyech, tërhoqi vëmendjen me një postim në rrjetet sociale ku nuk fsheh zhgënjimin e tij ndaj veprimeve të shumë vendeve për shkak të, siç e quajti ai, “bashkëpunimit në gjenocidin ndaj palestinezëve”.
Ziyech, kapiteni i Marokut dhe një nga lojtarët kryesorë të Galatasaray-t, të premten në mbrëmje publikoi një sërë komentesh pas një videoje shqetësuese.
Në video shihet se si ushtarët izraelitë godasin trupat e pajetë të një palestinezi të cilin e kishin vrarë në qytetin Qatibaya në Bregun Perëndimor.
Duke komentuar këtë video tronditëse, Ziyech tha: “Le të sqarojmë një gjë. Të shkuar dëm Izraeli dhe çdo vend tjetër që mbështet këtë sjellje. Liri për Palestinën”, shkroi Ziyech, dhe më pas në një mesazh tjetër u përball edhe me vendin e tij, Marokun:
“E njëjta gjë vlen edhe për qeverinë e vendit tim, që mbështet gjenocidin dhe të gjitha shtetet e tjera që e bëjnë këtë. Turp për ju, mjaft është”, shtoi Ziyech i zemëruar.
Përveç kësaj, ai i bëri thirrje të gjithë marokenëve në mbarë botën që të ngrejnë zërin e tyre në solidaritet me Palestinën.
Maroku dhe Izraeli vitet e fundit kanë marrëdhënie relativisht të normalizuara pas nënshkrimit të Marrëveshjes Abraham. Maroku e njohu zyrtarisht shtetësinë e Izraelit në vitin 2020, dhe tre vjet më vonë Izraeli njohu sovranitetin maroken mbi Saharanë Perëndimore.
Sa i përket karrierës së Ziyech-it, gjatë verës ai kaloi përfundimisht në Galatasaray nga Chelsea. Sezonin e kaluar ai e kaloi në këtë klub të madh të Stambollit si i huazuar nga Chelsea, dhe tani ka vendosur të ndryshojë përfundimisht ekip. Më parë, ai kishte mbajtur me shumë sukses fanellat e Ajax-it, Twente-s dhe Heerenveen-it në vendin e tij të lindjes, Holandë.