Zyra e Kryeministrit ka njoftuar për takimin e Albin Kurtit në Bosnje dhe Hercegovinë, duke thënë se Kurti u mirëprit në ndërtesën e Këshillit të Ministrave nga Kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Nermin Nikšić.
Në takimet e Kurtit atje, u pa edhe Martin Berishaj, për të cilin ZKM’ja u ‘sqarua’ duke thënë se është përgjegjës edhe për Bosnjë dhe Hercegovinë.
“Në të gjitha takimet e sotme, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Rexhepi, ambasadori i Kosovës në Kroaci, përgjegjës edhe për Bosnje dhe Hercegovinë, Martin Berisha dhe stafi i kryeministrit”.
Raportet ndërmjet dy vendeve, bashkëpunimi ekonomik, mundësitë e reja dhe mënyrat e rritjes së shkëmbimeve tregtare, kulturore dhe arsimore në njërën anë dhe zhvillimet e fundit në rajon dhe bashkëpunimi rajonal në anën tjetër, ishin temat kyçe të takimit.
“Kryeministri e njoftoi Kryesuesin e Këshillit të Ministrave, se nga 1 janari i vitit të ardhshëm, qytetarët e Bonjës dhe Hercegovinës do të mund të udhëtojnë në drejtim të Kosovës me letërnjoftime, siç është paraparë në marrëveshjen e nënshkruar në Berlin në nëntor të vitit 2022, në kuadër të Procesit të Berlinit. Ai bëri thirrje që edhe Bosnja dhe Hercegovina ta ratifikojë këtë marrëveshje sa më parë, në mënyrë që edhe qytetarët e Republikës së Kosovës të mund të udhëtojnë lirshëm me letërnjoftime në drejtim të këtij vendi të Ballkanit Perëndimor”.