Fundjava e inaugurimit të Donald Trump-it në Uashington u shënua nga paraqitje të shumta të modës luksoze, por edhe bizhuteri të shtrenjta të mbajtura nga zonjat e familjes Trump.
Gjatë pjesëmarrjes në ballo inaugurale të hënën në mbrëmje, pas betimit të Donald Trump-it si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zonjat e familjes së tij tërhoqën vëmendjen me veshje nga marka të njohura dhe bizhuteri të shtrenjta.
Ivanka Trump, Lara Trump, Tiffany Trump dhe Melania Trump u shfaqën me paraqitje glamuroze, të shoqëruara me varëse, vathë dhe unaza të shndritshme, me vlerë qindra mijëra dollarë.
Sipas Business Insider, Ivanka Trump gjatë festimeve të kësaj fundjave mbante diamante të markës Leviev, me një vlerë totale prej mbi 1,1 milion dollarësh.
Në mbrëmjen e së hënës, ajo mori pjesë në The Liberty Ball së bashku me bashkëshortin e saj, Jared Kushner, me një fustan që ishte një rikrijim i fustanit bardh e zi të Hubert de Givenchy të vitit 1954, projektuar fillimisht për Audrey Hepburn në filmin “Sabrina”.
Paraqitjen e saj e plotësoi me një varëse diamanti elegant prej 50 karatësh, që kushton rreth 180,000 dollarë, dhe me vathë diamanti prej 10 karatësh, me një vlerë të vlerësuar prej 60,000 dollarësh.
Të dielën në mbrëmje, Ivanka mbante gjithashtu vathë diamanti në formë dardhe, me një vlerë prej 900,000 dollarësh. Këto vathë ishin të punuar me diamante dhe platin, me një peshë totale prej 18,08 karatësh, dhe i kishte kombinuar me një fustan me kristale dhe supet zbuluar.
Përndryshe, motra e saj nga ana e babait, Tiffany Trump, kishte veshur bizhuteri për The Liberty Ball, ku mori pjesë së bashku me bashkëshortin e saj, Michael Boulos.
Tiffany shkëlqeu me një fustan të krijuar nga Zuhair Murad dhe vathë diamanti me një vlerë prej 62,497 dollarësh.
Lara Trump mbante një varëse diamanti dhe rubini në formë V-je, së bashku me vathë diamanti të kombinuar në formë dardhe.
Edhe pse burimi i saktë i varëses së saj mbetet i paqartë, Olivia Landau, drejtoreshë ekzekutive dhe themeluese e kompanisë së bizhuterive The Clear Cut në Nju Jork, vlerësoi se varësja ka një vlerë jashtëzakonisht të lartë monetare.
“Varësja mund të vlerësohet mbi një milion dollarë, varësisht nga pesha e diamanteve,” tha Landau për DailyMail.com.
Melania Trump gjithashtu mbante bizhuteri të shtrenjta, përfshirë një brosh të krijuar nga Harry Winston në vitin 1955, i cili sipas vlerësimeve kushton mbi 100,000 dollarë.
Në total, bizhuteritë e zonjave të familjes Trump kapin një vlerë prej mbi 2,3 milionë dollarësh.