‘Zoom Club’ në Prizren shkrumb e hi 2 ditë pas hapjes, pronari: Kurrë probleme s’kom pasë, 200 mijë € dëmi

Diskoteka Zoom Club te Tranziti i Ri në Prizren mëngjesin e sotëm ishte cak i një incidenti që shkaktoi zjarr të madh dhe për pasojë objekti u u dogj tërësisht. Të lënduar nuk pati, por dëmet janë të mëdha – për çka tashmë ka nisur hetimi nga Policia dhe Prokurori i Shtetit. Akoma nuk dihet se kush fshihet prapa këtij rasti dhe cili është motivi i personave të përfshirë, raporton Gazeta Sinjali.

Nga Policia Rajonale në Prizren e kanë konfirmuar që rasti po hetohet dhe tashmë pronari i diskotekës ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve policorë.

Sinjali ka kontaktuar pronarin Burim Sedolli, i cili ka në pronësi edhe një diskotekë tjetër në Suharekë, ‘Infinit Club’, me ç’rast ka dhënë deklaratën e tij për incidentin që i ndodhi në diskotekë vetëm pak disa pasi e hapi.

Sedolli ka deklaruar se nuk ka asnjë dyshim se kush mund të jetë i përfshirë në këtë rast, pasi siç tha ai, nuk ka probleme e as mosmarrëveshje me askënd.

Ai bëri të ditur se objektin e kishte marrë me qira para dy muajsh dhe pas mbrëmjes së parë që u organizua më 27 dhjetor, ndodhi sulmi i mbrëmshëm.

“Me dyshu nuk dyshoj te askush sepse nuk kom pasë asnjë incident me kërkond. Arsyen pse nuk pe di…na kemi pase mbrëmje mbramë në Suharekë, në Infinit. E këtu [Zoom Club] e kemi pasë për sonte, por fatkeqësisht. Një mbramje e kena majtë më 27 dhjetor edhe sonte u konë mbrëmja e dytë që kemi pasë me mbajtë. Unë jom qiramarrësi i atij objekti. Në nëntor e kom marrë me qira, një muaj e kom përgatitë edhe tash veç ndodhi kjo.” – tha Sedolli për Sinjalin.

Sedolli tutje u shpreh se prej kur kanë vendosur që të hapin diskotekën në Prizren, tentativa të tilla siç ndodhi mbrëmë, ka pasur edhe te diskoteka në Suharekë.

Teksa njoftoi që ka dhënë dëshminë e tij për rastin, Sedolli po ashtu tregoi se dëmi i shkaktuar në objekt është deri në 800 mijë euro, ndërsa investimi i tij kap vlerën e rreth 200 mijë eurove.

“Prej që e kemi marrë në Prizren, edhe në Suharekë kane tentu, a është lloj xhelozie prej një qyteti tjetër punojna në një qytet tjetër nuk e di…por s’mundemi me thanë që e kemi një dyshim ma të vogël me dikon që kemi pasë mosmarrëveshje a diçka.

Vlera e dëmit është diku rreth 700-800 mijë euro si objekt, e vlera e dëmit të investimit prej kur e kam marrë me qira janë rreth 200 mijë euro.

Ndodhi çka ndodhi, nuk kom naj dyshim naj diçka, kurrë s’kom pasë probleme, as në Suharekë që e kemi.” – përfundoi ai.

Kategoritë
LajmeVendi