Zuckerberg: Administrata e Bidenit ushtronte presion për të hequr përmbajtjet mbi efektet anësore të vaksinave kundër Covid-it

Drejtori Ekzekutiv i Metës, Mark Zuckerberg, i tha Joe Rogan-it në një podcast të publikuar të premten se kompania e tij ishte nën presionin e administratës së Bidenit për të hequr përmbajtjet që lidhen me efektet anësore të vaksinave kundër Covid-19.

Në fillim të bisedës, që zgjati rreth tre orë, Zuckerberg i tha Rogan-it se ai në përgjithësi ishte “mjaft pro promovimit të vaksinave” dhe se ato ishin “më shumë pozitive sesa negative”.

“Por mendoj se, ndërsa përpiqeshin të shtynin këtë program përpara, gjithashtu përpiqeshin të censuronin këdo që, në thelb, kundërshtonte atë,” tha Zuckerberg.

Këto deklarata vijnë disa ditë pasi Meta njoftoi se do të ndalojë mbështetjen tek palët e treta për verifikimin e fakteve në aplikacionet e saj dhe do të përdorë në vend të kësaj shënimet e komunitetit, duke u mundësuar përdoruesve të shtojnë komente mbi vërtetësinë e përmbajtjeve.

Kjo strategji e afron Metën me platformën X (më parë e njohur si Twitter), pronari i së cilës, Elon Musk, këshillon presidentin e sapozgjedhur Donald Trump dhe ishte një nga mbështetësit kryesorë të fushatës së tij.

Ky është gjithashtu zhvillimi i fundit në një seri deklaratash dhe komentesh pas fitores së Trump-it, që duket se synojnë të qetësojnë presidentin e ardhshëm. Javën e kaluar, Meta zëvendësoi presidentin e saj për çështjet globale, Nick Clegg, me Joel Kaplan, nënkryetar aktual i kompanisë për politikën dhe ish-bashkëpunëtor i Partisë Republikane.

Meta ishte një nga disa kompanitë e mëdha teknologjike që njoftoi se do të dhuronte një milion dollarë për inaugurimin e Trump-it, raportoi NBC News.

Presidenti Biden u ndal te ndryshimi i politikës së Metës për verifikimin e fakteve gjatë një konference për media të premten.

“Idea që një miliarder mund të blejë diçka dhe të thotë, ndër të tjera, që nga ky moment nuk do të verifikojmë faktet, dhe, e dini, kur miliona njerëz shkojnë online dhe lexojnë këto gjëra, kjo është – sidoqoftë, mendoj se kjo është me të vërtetë e turpshme,” tha Biden.

Zuckerberg më parë ka shprehur kritika ndaj mënyrës së administrimit të përmbajtjeve lidhur me Covid-in nga administrata e Bidenit.

Në një letër drejtuar Komitetit të Drejtësisë të Dhomës së Përfaqësuesve, kryesuar nga Republikanët, në gusht, Zuckerberg tha se administrata “ushtroi presion” mbi Metën për të “censuruar” përmbajtjet mbi Covid-19, duke shtuar se ndjen keqardhje për disa vendime që kompania mori pas këtyre kërkesave.

“Dhe na shtynë jashtëzakonisht shumë për të hequr gjëra që, sinqerisht, ishin të vërteta. Në thelb na shtynë dhe na thanë, e dini, gjithçka që thotë se vaksinat mund të kenë efekte anësore, kjo thjesht duhet të hiqet,” tha Zuckerberg Rogan-it.

Zuckerberg nuk specifikoi se kush nga Shtëpia e Bardhë bëri kërkesat, duke thënë: “Nuk isha drejtpërdrejt i përfshirë në ato biseda.” Megjithatë, ai tha se përgjigja e kompanisë ishte që të mos hiqte përmbajtje që ishte “në thelb padyshim e vërtetë”.

Administrata Amerikane për Ushqimin dhe Barnat (FDA) deklaroi në vitin 2021 se dhimbja e kokës, lodhja, dhimbjet e muskujve, përzierja dhe ethet ishin efektet anësore më të zakonshme të një doze të vaksinës Johnson & Johnson kundër Covid-19. Në shkallë globale, vaksinave kundër Covid-it u atribuohet shpëtimi i dhjetëra miliona jetëve çdo vit gjatë pandemisë.

Për një çështje tjetër, Zuckerberg tha se qeveria amerikane nuk ka bërë sa duhet për të mbrojtur industrinë e saj teknologjike, duke lënë shumë fuqi në duart e rregullatorëve jashtë vendit. Ai tha se Bashkimi Evropian ka gjobitur kompanitë teknologjike me më shumë se 30 miliardë dollarë gjatë 20 viteve të fundit.

“Një nga gjërat për të cilat jam optimist në lidhje me presidentin Trump është që mendoj se ai thjesht dëshiron që Amerika të fitojë,” tha Zuckerberg.

Kategoritë
BotaLajme