zv/Kryeministri Bislimi priti në takim zv/kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Bojan Mariçiq

Bislimi dhe Mariçiq kanë diskutuar në këtë takim mbi forcimin e bashkëpunimit përmes dhe mbledhjeve ndërqeveritare që mund të mbahen në të ardhmen

Zv/kryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim zv/kryeministrin për Çështje Evropiane të Maqedonisë së Veriut, Bojan Mariçiq, transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, palët kanë konsideruar se e ardhmja e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut i përket Bashkimit Evropian (BE) dhe se “vendet tona po bëjnë hapa dhe përpjekje për të avancuar rrugëtimin e tyre drejt BE-së”.

Bislimi dhe Mariçiq kanë diskutuar në këtë takim mbi forcimin e bashkëpunimit përmes dhe mbledhjeve ndërqeveritare që mund të mbahen në të ardhmen.

Në takim u shprehën dhe përgëzimet për Kosovën në përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave, si hap i rëndësishëm në rrugëtimin evropian të vendit.

Rritja e efikasitetit sa i përket bashkëpunimit ndërkufitar ishte dhe një prej çështjeve me theks të veçantë të trajtuara gjatë këtij takimi.

Kategoritë
LajmeVendi