Vance tha se të gjitha opsionet mbeten “në tryezë”, përfshirë vendosjen e mundshme të trupave amerikane në Ukrainë nëse Moska dështon të përfshihet në bisedime me mirëbesim
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance ka paralajmëruar se SHBA-ja mund të vendosë sanksione dhe ndoshta edhe të ndërmarrë veprime ushtarake nëse presidenti rus, Vladimir Putin, refuzon të negociojë një marrëveshje të paqes me Kievin që garanton pavarësinë afatgjate të Ukrainës, transmeton Anadolu.
Duke folur për “Wall Street Journal”, Vance tha se të gjitha opsionet mbeten “në tryezë”, përfshirë vendosjen e mundshme të trupave amerikane në Ukrainë nëse Moska dështon të përfshihet në bisedime me mirëbesim.
Vance tha se ka “mjete ekonomike dhe mjete ushtarake” që Washingtoni mund t’i përdorë kundër Putinit.
Komentet pasojnë njoftimin e presidentit amerikan, Donald Trump, se ai ka filluar negociatat me Putinin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Presidenti nuk do të hyjë në këtë i verbër. Ai do të thotë ‘gjithçka është në tryezë, le të bëjmë një marrëveshje'”, tha Vance.
Zv/presidenti amerikan, që është planifikuar të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Konferencën e Sigurisë në Mynih, tha se beson se marrëveshja përfundimtare do të jetë e papritur.
“Mendoj se ka një marrëveshje që do të dalë nga kjo, që do të tronditë shumë njerëz”, tha Vance.
Komentet e zv/presidentit amerikan vijnë një ditë pasi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se Ukraina siç duket nuk do të rimarrë territorin e saj të humbur që nga viti 2014 dhe nuk do të bashkohet me NATO-n përmes negociatave, si dhe se prioritetet e SHBA-së po largohen nga siguria evropiane dhe ukrainase.