Zv.shefi i diplomacisë ruse: Vendet perëndimore synojnë të përshkallëzojnë krizën ukrainase

“Vendet perëndimore po ndjekin një rrugë drejt një përshkallëzimi të qëllimshëm të krizës në Ukrainë duke furnizuar Kievin me modele gjithnjë e më të reja të armëve të rënda”, tha zv.ministri Ryabkov

Zv.ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Ryabkov, ka deklaruar se vendet perëndimore me qëllim po synojnë të përshkallëzojnë krizën ukrainase, transmeton Anadolu.

“Vendet perëndimore po ndjekin një rrugë drejt një përshkallëzimi të qëllimshëm të krizës në Ukrainë duke furnizuar Kievin me modele gjithnjë e më të reja të armëve të rënda. Armët perëndimore po përdoren në mënyrë aktive nga Forcat e Armatosura të Ukrainës për bombardimin e ndërtesave të banimit, shkollave dhe spitaleve, për vrasjen e banorëve paqësor dhe për shkatërrimin e infrastrukturës publike”, tha zv.ministri Ryabkov në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

“Këto janë krime lufte, një shkelje e ligjit humanitar, në të cilat vendet anëtare të NATO-s janë të përfshira dhe përfaqësuesit e të cilëve duan të flasin për të drejtat e njeriut në mënyrë predikuese dhe hipokritike”, shtoi Ryabkov.

– Ukraina shkel të drejtat e njeriut

Më tej, Ryabkov tha se qeveria në Ukrainë shkel të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, duke vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Ukrainës dhe detyrimet e saj ndërkombëtare. Ai shtoi se janë miratuar disa ligje për “ukrainizmin” total.

Kjo, sipas tij, preku arsimin, shkencën, kulturën, mjetet e komunikimit masiv, radion, televizionin, internetin, reklamat dhe industrinë e shërbimeve.

“Gjuha ruse, një gjuhë amtare për milioina banorë ukrainas, është vënë në shënjestër më të madhe”, tha ai.

Në një deklaratë të regjistruar paraprakisht, sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, tha se Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut mblidhet kur “të drejtat e njeriut në mbarë botën janë nën sulm, ndoshta askund më shumë se në luftën brutale të Rusisë kundër Ukrainës”.

Blinken tha se këshilli ka luajtur një rol vendimtar në ndriçimin e vëmendjes mbi “abuzimet e tmerrshme dhe të vazhdueshme të Moskës, përfshirë krijimin e Komisionit të Pavarur Ndërkombëtar të Hetimit (COI) për Ukrainën”.

Ai tha se raporti i parë i COI-t në muajin tetor arriti në përfundim se Rusia ka kryer krime lufte dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar.

“Për sa kohë që Rusia vazhdon me luftën e saj, COI duhet të vazhdojë të dokumentojë abuzime të tilla, duke ofruar një regjistrim të paanshëm të asaj që po ndodh dhe një bazë për përpjekjet kombëtare dhe ndërkombëtare për t’i mbajtur përgjegjës autorët”, tha Blinken.

Sekretari amerikan tha se “mbytja sistematike” e zërave të pavarur nga qeveria e Moskës në shoqërinë civile ruse e bën punën e raportuesit special të OKB-së për të drejtat e njeriut në vend edhe më të rëndësishme.

Kategoritë
BotaLajme