Shumica e zviceranëve në referendumin e sotëm votuan kundër propozimit që ekonomia e vendit të tyre të harmonizohet me “kufijtë planetarë”, një iniciativë e paraqitur nga të rinjtë e Partisë së Gjelbër.
Pjesëmarrja në referendum ishte 38 për qind, shumë më e ulët se mesatarja prej 45 për qind. Kundër këtij propozimi votuan 69,8 për qind e atyre që morën pjesë në votim dhe në asnjë nga 26 kantonet nuk pati mbështetje për këtë nismë.
Lukas Golder, nga organizata për kërkime politike dhe komunikim gfs në Bernë, deklaroi për televizionin publik zviceran SRF se mbështetja ka qenë e kufizuar kryesisht tek qarqet e majta dhe ato ekologjike. Ndër të tjerët, siç vërejti ai, nuk kishte interes për një propozim kaq drastik, edhe pse për shumë njerëz çështjet e klimës dhe mjedisit mbeten të rëndësishme.
Banorët e Zvicrës u pyetën në referendum nëse e mbështesin ose jo një amendament kushtetues që do të detyronte ekonominë e vendit të respektojë “kufijtë planetarë” – një koncept shkencor që përcakton kufirin përtej të cilit natyra nuk mund të rigjenerohet më.
Për të arritur këtë, do të ishte e nevojshme të reduktoheshin ndjeshëm faktorë si emetimet e dioksidit të karbonit (CO2), humbja e biodiversitetit dhe përdorimi i ujit. Për shembull, sipas një vlerësimi të organizatës ndërkombëtare mjedisore Greenpeace, Zvicra duhet të ulë gjurmën e saj të karbonit me 90 për qind për frymë.
Mbështetësit e kësaj ideje, përfshirë socialdemokratët dhe një aleancë të organizatave joqeveritare, nuk specifikuan saktësisht se si do të realizohej kjo, por siguruan se do të bëhej në një mënyrë të pranueshme shoqërore brenda një periudhe dhjetëvjeçare, shkruan swissinfo.