Zvicra debaton kufirin e shpejtësisë në autostrada në 80 km/h për të kursyer energji

Aktualisht në autostradat zvicerane zbatohet një kufizim i shpejtësisë prej 120 km/h.

Për të frenuar konsumin e energjisë në Zvicër, kreu i ‘Partisë së Gjelbër’, Balthasar Glattli, ka bërë thirrje për një kufizim të shpejtësisë në autostrada në 80 kilometra në orë (km/h).

Për portalin e lajmeve ‘nau.ch’, Glattli tha se reduktimet e shpejtësisë janë thelbësore për të kursyer energji dhe se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë po ashtu e thotë këtë.

Aktualisht në autostradat zvicerane zbatohet një kufizim i shpejtësisë prej 120 km/h.

Propozimi i kreut të ‘Partisë së Gjelbër’ deri më tani nuk ka marrë mbështetje nga qeveria federale zvicerane dhe klubet e automobilave.

Ligjvënësi Thomas Hurter nga ‘Partia Popullore Zvicerane’ e krahut të djathtë tha se edhe një reduktim në 100 km/h për të kursyer energji “absolutisht është i pakuptimtë dhe është ngacmim i pastër për shoferët”.

Hurter tha se reduktimet e shpejtësisë kanë kuptim pjesërisht kur bëhet fjalë për parandalimin e bllokimeve të trafikut.

Ai kritikoi ashpër propozimin e ‘Partisë së Gjelbër’, duke pretenduar se është një “politikë ideologjike klasike e krahut të majtë”.

Qeveria federale zvicerane deri më tani ka hedhur poshtë çdo thirrje për kufizime më të ulëta të shpejtësisë.

Në një njoftim, ministrja e Transportit, Simonetta Sommaruga, tha se shpejtësitë më të ulëta do të reduktojnë vërtet konsumin, por theksoi se kufiri aktual i shpejtësisë në 120 km/h nuk është një shpejtësi minimale.

“Drejtimi me shpejtësi më të ulët lejohet për sa kohë që nuk pengohet rrjedha e qëndrueshme e trafikut”, tha Sommaruga.

Kategoritë
BotaLajme