Zyra e BE-së me deklaratë për shpronësimin e tokave në veri të Kosovës

“Themelimi i katër bazave të Policisë së Kosovës në tokë private dhe shoqërore – në disa raste para fillimit të procedurave të shpronësimit – ngre shqetësime për të drejtat pronësore në veri të Kosovës”, thuhet në njoftim

Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë ka thënë se janë në dijeni për vendimin preliminar të Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e tokës për interes publik në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, Leposaviq dhe Zubin Potok, transmeton Anadolu.

Zyra e BE-së nëpërmjet një njoftimi për media ka thënë se çdo shpronësim është i ndjeshëm nga natyra dhe “procedurat ligjore parashikojnë hapa të tillë si njoftimi i avancuar dhe informacioni gjithëpërfshirës i pronarëve të pronave, e drejta e tyre për të paraqitur komente mbi shpronësimin, mundësinë e një mjeti ligjor të përshtatshëm dhe kompensimi i tyre adekuat përpara përfundimit të procesit”.

Zyra e BE-së ka thënë se bëhet fjalë për ndërtimin e katër bazave të Policisë së Kosovës në tokë private dhe shoqërore në këto komuna.

“Themelimi i katër bazave të Policisë së Kosovës në tokë private dhe shoqërore – në disa raste para fillimit të procedurave të shpronësimit – ngre shqetësime për të drejtat pronësore në veri të Kosovës dhe duhet të adresohet në mënyrë adekuate nga autoritetet”, thuhet në njoftim.

BE-ja u ka bërë kërkesë autoriteteve të Kosovës që “t’i përmbahen rreptësisht procedurave ligjore në shpronësimin e pronës së paluajtshme, të bëjnë të pamundurën për të siguruar që të ndiqet procesi i rregullt dhe se të drejtat pronësore të pronarëve dhe bartësve të interesit të prekur të respektohen plotësisht”.

Ndërtimi i bazave të Policisë së Kosovës i cili u bë me vendim të Qeverisë së Kosovës u pengua edhe nga serbët lokalë gjatë muajit shkurt.

Kryetarët e Leposaviqit dhe Zubin Potokut të cilët ishin nga partia serbe Lista Serbe dhanë dorëheqje në nëntor të vitit 2022 si shkak i vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale.

Por, i ashtuquajturi kryetar i përkohshëm i Leposaviqit, Zoran Todiq, i cili kishte dalë në vendin e ngjarjes ku po ndërtohej një nga këto baza në Leposaviq, tha se për shqetësimin e banorëve të komunës është njoftuar edhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, derisa shtoi se “përkundër protestave të vendasve, ata vazhdojnë të kryejnë punime”.

Kategoritë
LajmeVendi