Zyrtari i BE-së: Liderët e BE-së pritet të miratojnë kandidaturën e Ukrainës dhe Moldavisë

Burimi tha se një përparim në fillimin e bisedimeve me Shkupin mund të jetë në lojë pasi Franca përgatiti një kompromis dhe shtoi se perspektivat për një marrëveshje përfundimtare varen nga mënyra se si do të shpaloset kriza politike në Bullgari

Një zyrtar i Bashkimit Evropian (BE) ka bërë të ditur se liderët e bllokut evropian pritet të miratojnë statusin kandidat të Ukrainës dhe Moldavisë në samitin e tyre të ardhshëm dy-ditor, raporton Anadolu Agency (AA).

“Presim që liderët evropian t’i japin statusin e kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë”, u tha gazetarëve zyrtari i BE-së, i cili foli në kushte anonimiteti.

Samiti midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të nisë ri-bashkimin mëngjesin e nesërm me pjesëmarrjen e krerëve të vendeve dhe qeverive të BE-së, së bashku me liderët nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.

Zyrtari i BE-së po ashtu tha se bisedimet në kuadër të samitit do të fokusohen në reformat e mundshme në procesin e zgjerimit të BE-së për të lehtësuar integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Burimi tha se një përparim në fillimin e bisedimeve të pranimit me Shkupin po ashtu mund të jetë në lojë pasi Franca përgatiti një kompromis, si dhe shtoi se perspektivat për një marrëveshje përfundimtare varen nga mënyra se si do të shpaloset kriza politike në Bullgari, e cila deri më tani ka bllokuar negociatat.

Si tema më e rëndësishme e “samitit gjeopolitik”, pritet që liderët e BE-së t’i japin dritë jeshile kandidaturës së Ukrainës dhe Moldavisë.

Zyrtari i BE-së shpjegoi se ata po ashtu “duket se do t’i japin Gjeorgjisë statusin e kandidatit me kushte të caktuara ku Komisionit Evropian do t’i kërkohet të raportojë” mbi zhvillimet në një fazë të mëvonshme.

Liderët e BE-së gjithashtu do të flasin për mundësinë e sanksioneve të mëtejshme kundër Rusisë dhe mbështetjes për Ukrainën, si dhe për zgjidhjet mbi mungesën globale të ushqimit.

Të premten samiti do të vazhdojë me diskutimet mbi rezultatet e Konferencës për Evropën dhe për ekonominë, përfshirë inflacionin dhe rritjen e çmimeve të energjisë.

Kategoritë
BotaLajme