Zyrtari izraelit bën thirrje për dëbimin e arabëve në Zvicër

Deklaratat e zv/ministrit izraelit të Çështjeve Fetare, Matan Kahana, shkaktojnë reagime të ashpra.

Një zyrtar i lartë izraelit bëri thirrje për dëbimin e arabëve në Zvicër, duke shkaktuar reagime të ashpra, raporton Anadolu Agency (AA).

“Nëse do të kishte një buton që mund të shtypet dhe t’i zhdukte të gjithë arabët, që do t’i dërgonte me një tren ekspres për në Zvicër, le të kenë jetë të mrekullueshme atje, u uroj atyre gjitha të mirat në botë, do të shtypja atë buton”, tha zv/ministri i Çështjeve Fetare, Matan Kahana, në deklaratat e cituara nga Korporata e Transmetimeve Izraelite.

“Nuk ka asnjë buton të tillë…me sa duket ne ishim të destinuar të ekzistonim këtu (së bashku) në këtë tokë në njëfarë forme”, shtoi ai, ndërsa u fliste studentëve në një shkollë të mesme në vendbanimin Efrat në Bregun Perëndimor të pushtuar.

“Ka nga ata që mendojnë se nëse kthehemi në kufijtë e 1967-ës, këtu do të jenë dy shtete që do të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin…Unë mendoj se kjo është e pakuptimtë”, tha ai.

Kahana më vonë shkroi në Twitter se popullsia hebreje dhe arabe “duhet të punojnë për të jetuar në bashkëjetesë”.

“Koalicioni ynë është një hap i guximshëm drejt këtij qëllimi brenda këtij diskutimi më të madh. Disa nga deklaratat e mia u keqinterpretuan”, shtoi ai.

Deklaratat e tij, megjithatë, shkaktuan valë të reagimeve të zjarrta nga anëtari arab i parlamentit izraelit, Ahmad Tibi, i cili shkroi në Twitter: “Ka një buton që ju përjashton nga qeveria dhe Knesset-i; unë do ta shtyp atë së shpejti”.

Sipas Korporatës së Transmetimeve Izraelite, Kahana më vonë i telefonoi Tibit dhe i kërkoi falje për komentet e tij.

Kategoritë
BotaLajme